METEO – Vala e të nxehtit godet më shumë se gjysmën e Francës

PARIS, 19 qeshor /ATSH-AFP/ – Mbi 36 milionë banorë në France, më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, po përballen me temperatura përvëluese, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm portokalli në shumë rajone.
Ky është niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit meteorologjik dhe u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë për shkak të vapës ekstreme.
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në sistemin arsimor.
Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, njoftoi se 784 shkolla fillore dhe të mesme kanë ndryshuar oraret e mësimit për të mbrojtur nxënësit nga nxehtësia, ndërsa 150 prej tyre janë mbyllur plotësisht.
Sipas shërbimit meteorologjik francez, vala e të nxehtit pritet të jetë e përhapur, e zgjatur dhe intensive.
Temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C në disa zona midis së dielës dhe së martës, duke rritur shqetësimet për shëndetin publik dhe rrezikun e zjarreve.
Edhe pse vera astronomike fillon të dielën, kjo është tashmë vala e dytë e të nxehtit në Francë gjatë vitit 2026.
Maji shënoi temperatura rekord në shumë rajone, ndërsa pranvera e këtij viti rezultoi më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në vend që nga fillimi i matjeve në vitin 1900, me temperatura mesatare rreth 1,7°C mbi normalen.
Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit në Evropë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke e bërë kontinentin një nga zonat më të prekura nga ngrohja globale./ /Ad.Ab./ a.jor.