MIA: Emergjencat civile rritje mbi 13-fish të buxhetit në shtatë vite

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot të dhëna me shifra konkrete në lidhje me emergjencat civile, shërbimet shëndetësore gjatë sezonit turistik, lehtësimin e detyrimeve tatimore, si dhe rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të lëvizjeve në pikat kufitare.
Në fushën e emergjencave civile, sipas MIA-s nga 430 milionë lekë në vitin 2020, buxheti për vitin 2026 ka arritur në 5,79 miliardë lekë, ose mbi 13-fish më shumë në harkun e shtatë viteve.
Ndërkohë, qendrat shëndetësore verore vijojnë të ofrojnë shërbime përgjatë sezonit turistik 2026. Vetëm gjatë periudhës 10–16 gusht janë kryer 6803 vizita, ndërsa 9% e vizitave ishin nga pushues të huaj.
Në fushën fiskale, sipas MIA-s vijon falja e detyrimeve tatimore të papaguara, me dhe pa kusht. Deri më 31 korrik 2026, numri i tatimpaguesve përfitues ka arritur në 204.413.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të aktivitetit të biznesit. MIA thekson se qarkullimi i bizneseve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 u rrit me 127 miliardë lekë, ose 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Edhe lëvizjet në pikat kufitare vijojnë në nivele të larta gjatë sezonit turistik. Në muajin korrik, në gjashtë pikat kryesore kufitare u regjistruan mbi 90 mijë udhëtarë dhe rreth 34 mijë automjete çdo ditë.
/m.q/r.e/