E Hënë, 2 Nëntor 2026

MM: Izolohet zjarri në Dukat, mbeten aktive vatrat në Drashovicë e Vajzë

TIRANË, 21 gusht /ATSH/  Ministria e Mbrojtjes njoftoi se mbrëmjen e sotme, në intervalin kohor 20:15 – 22:15, janë evidentuar disa vatra zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë, në qarkun e Vlorës.

Falë reagimit të shpejtë të emergjencave civile, zjarri në fshatin Dukat i Ri u izolua plotësisht, duke shmangur rrezikun për zonat e banuara. Ndërkohë, tre vatra në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe dy vatra të tjera të shfaqura në Vajzë mbeten ende aktive.

Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po krijojnë perimetra sigurie për mbrojtjen e banesave dhe pronave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri”.

Ministria e Mbrojtjes thekson se, forcat operacionale do të vijojnë të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës. /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›