E Diel, 1 Nëntor 2026

MOZAMBIK – Të paktën 50 të vdekur pas shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve

DAKAR, 20 janar /ATSH-DPA/ – Shirat e rrëmbyeshëm, që nga fundi i muajit të kaluar, kanë sjellë përmbytje të mëdha në Mozambik, duke prekur mbi 600 000 banorë dhe shkaktuar vdekjen e të pakten 50 personave, raportoi sot Qendra e BE-së për Koordinimin e Reagimit ndaj Emergjencave (ERCC).

ERCC citoi të dhënat e autoriteteve te fatkeqësive në vendin juglindor të Afrikës.

Reshje të mëtejshme shiu priten në jug të vendit gjatë 24 orëve të ardhshme, me provincat më të prekura që janë Gaza, Maputo, Inhambane dhe Sofala.

Rreth 78 200 banorë po strehohen në strehimore emergjente dhe mijëra shtëpi janë shkatërruar.

Objektet shëndetësore dhe infrastruktura janë goditur rëndë, tha drejtoresha e zyrës së Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA) në Mozambik, Paola Emerson, duke folur nga Xai-Xai, kryeqyteti i Provincës së Gazës.

Afrika e Jugut dhe Zimbabveja po përjetojnë gjithashtu përmbytje, me numrin e të vdekurve në Afrikën e Jugut që ka arritur në 30 që nga fundi i dhjetorit, raportoi ERCC.

Ajo raportoi 70 vdekje në Zimbabve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›