E Martë, 3 Nëntor 2026

MPJD e Kosovës: Rasti i Arbnor Spahiut, Serbia po vepron në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

PRISHTINË, 11 qershor/ATSH/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Në këto rrethana, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikë-kalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.

Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës.

Ish-pjesëtari i Njësitit Special të Kosovës Arbnor Spahiu u ndalua nga autoritete serbe më shtatë (7) qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, dhe një ditë më vonë ndaj tij është vendosur masa një muaj paraburgim, për kinse një rast në Banjska. Arbnor Spahiu qe tri vjet nuk është pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›