E Diel, 1 Nëntor 2026

MUZIKË – Julio Iglesias mohon akuzat për abuzim seksual: Më shkaktuan një trishtim të madh!

MADRID, 16 janar /ATSH-ANSA/ – Këngëtari spanjoll Julio Iglesias ka thyer heshtjen me një deklaratë të postuar në profilin e tij në Instagram, pas akuzave për sulm seksual, abuzim me pushtetin dhe shfrytëzim në punë të ngritura nga dy ish-punonjës, për të cilat Zyra e Prokurorit Publik Spanjoll ka hapur një hetim paraprak.

“Mohoj kategorikisht se kam abuzuar, detyruar ose nuk kam respektuar ndonjë grua”, shkroi këngëtari 82-vjeçar duke mohuar të gjitha akuzat dhe duke i quajtur dëshmitë “të rreme”.

“Këto akuza më shkaktojnë trishtim të madh. Nuk kam dëgjuar kurrë një mizori të tillë, por ende kam forcën t’u tregoj njerëzve të gjithë të vërtetën dhe të mbroj dinjitetin tim përballë një fyerjeje kaq të rëndë”, shton kantautori, një nga artistët më të famshëm të popit latin me 300 milionë shitje albumesh.

Në mesazh, Iglesias falënderoi gjithashtu njerëzit që e mbështesin, duke folur për “dashurinë dhe besnikërinë” e tyre dhe duke i siguruar ata se ka gjetur “shumë ngushëllim” tek ata. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›