MUZIKË – “Oasis” pushton top listat britanike pas ribashkimit

LONDËR, 11 korrik /ATSH/- Fansat e “Oasis” janë “çmendur” sërish pas muzikës së grupit anglez të Rock-ut – pas ribashkimit të tyre, duke e renditur atë në vendin e parë në top listën e albumeve më të mira në Britaninë e Madhe, sipas BBC.
Pasi grupi nisi turneun e tyre të rikthimit javën e kaluar, albumi “Time Flies” është rikthyer në vendin e parë, i ndjekur nga “(What’s the Story) Morning Glory?” i vitit 1995 – i renditur në vendin e dytë.
Albumi debutues “Definitely Maybe”, i vitit 1994 është në vendin e katërt.
“Oasis” kanë pasur tetë albume në vendin e parë në total, dhe për herë të fundit kryesuan listën me “Definitely Maybe” shtatorin e kaluar pasi u njoftua ribashkimi i grupit.
Albumet “Time Flies” dhe “Morning Glory” gjithashtu u rikthyen në pesë vendet e para në atë kohë.
Tre nga këngët e tyre kanë hyrë gjithashtu në listën e 20 këngëve më të mira këtë javë, të kryesuara nga “Acquiesce”, në vendin e 17 – e ndjekur nga “Don’t Look Back in Anger” në vendin e 18-të dhe “Live Forever” në vendin e 19-të.
Noel dhe Liam Gallagher i dhanë fund mosmarrëveshjeve duke u rikthyer në skenë për herë të parë pas 16 vitesh. //a.i./