E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjia e fundvitit mbërrin në Shkodër me ndezjen e dritave festive

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Në Shkodër sot janë ndezur dritat e festave të fundvitit, duke sjellë në qytet atmosferën e shumëpritur festive. Me rënien e mbrëmjes, sheshet kryesore u mbushën me ngjyra, drita dhe muzikë, teksa instalacionet dekorative me led u ndezën njëri pas tjetrit, duke krijuar një pamje që tërhoqi qindra qytetarë.

Ndezja e pemës së Krishtlindjes, në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës u prit me gëzim sidomos nga fëmijët, të cilët duartrokitën sapo dritat u shfaqën mbi pemën e lartë të vendosur në sheshin kryesor, e cila ndryshe nga herët e tjera ishte një instalacion me led në formën e bredhit të vitit të ri. Mes tyre u bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili ndoqi ceremoninë së bashku me familjet e shumta të pranishme.

Pema, një risi për formatin e saj, u kthye menjëherë në pikën më të fotografuar të mbrëmjes. Fëmijët vraponin rreth saj, ndërsa të rriturit ndalonin për të bërë foto apo për të shijuar dekorin e ri të qytetit.

Këtë vit, Shkodra është zbukuruar më gjerë se zakonisht: fasadat e ndërtesave, bulevardi kryesor dhe hapësirat pranë institucionit të bashkisë janë ndriçuar me drita të reja, duke i dhënë qytetit një pamje më të gjallë dhe plot jetë.

Bashkia e Shkodrës ka paralajmëruar gjithashtu një program të gjatë festimesh për gjithë muajin dhjetor. Çdo mbrëmje pritet të zhvillohen aktivitete të ndryshme për qytetarët dhe vizitorët, nga minikoncerte e performanca artistike, te lojëra për fëmijët dhe aktivitete komunitare, duke krijuar një atmosferë të vazhdueshme gjallërie në qytet.

1 nga 7

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›