Malaj: 1,5 miliardë lekë shtesë për barnat onkologjike

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ndryshimet në Buxhetin e Shtetit 2026 parashikojnë fonde shtesë për sektorin e shëndetësisë, duke përfshirë financimin e barnave onkologjike, rritjen e pagave për personelin e urgjencës mjekësore dhe investime në pajisje spitalore e infrastrukturë dixhitale.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se “me Aktin Normativ janë akorduar 1,5 miliardë lekë shtesë për barnat onkologjike, ndërsa 700 milionë lekë do të përdoren për pajisje spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale në shëndetësi”.
Sipas Malajt, ndryshimet buxhetore parashikojnë edhe 150 milionë lekë për rritjen e pagave të rreth 400 mjekëve dhe 1 200 teknikëve të urgjencës mjekësore, si mbështetje për stafin e vijës së parë.
“Shëndetësia është një nga prioritetet kryesore të ndryshimeve në Buxhetin 2026”, theksoi ministri, duke nënvizuar se këto investime synojnë modernizimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Më shumë investime për një sistem shëndetësor më modern dhe më pranë qytetarëve”, u shpreh ministri.

/e.xh/a.f/