E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Malaj: Deri në 2027 asnjë rritje taksash, 90% e bizneseve aktive paguajnë zero tatimfitimi

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe në reduktimin e borxhit publik, duke lënë pas performancën e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kështu deklaroi sot ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një bashkëbisedimi me biznesin në Elbasan mbi planin e masave fiskale për katër vitet e ardhshme, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Malaj bëri të ditur se investimet e huaja direkte (IHD) janë rritur nga 950 milionë euro në vitin 2013 në 1,6 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa stoku total i investimeve ka arritur në 15 miliardë euro.

“Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), Shqipëria ka realizuar një mesatare 8,1% të PBB-së në dekadën e fundit, përkundrejt mesatares rajonale prej 6,1%, çka e rendit vendin si më të suksesshmin në rajon në këtë drejtim”, deklaroi ai.

Ai theksoi se Shqipëria ka treguar besueshmëri të lartë për investitorët e huaj, falë stabilitetit ekonomik dhe reformave të ndërmarra.

Ministri vuri në dukje se vendi ka shënuar përmirësime të ndjeshme edhe në tregun e punës.

“Paga mesatare është rritur nga 322 euro në vitin 2013 në 848 euro në vitin 2025, ndërsa projeksioni për vitin 2030 është 1000 euro”, tha ai.

Sipas Malajt, reformat në tregun e punës, veçanërisht në drejtim të pagave dhe formalizimit të punësimit, kanë qenë thelbësore për këtë progres dhe ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.

Malaj nënvizoi se Shqipëria ka ndërtuar një nga kuadret fiskalë më konkurruese në rajon. “90% e bizneseve aktive në vend paguajnë zero tatimfitimi, ndërsa vetëm 23% e tyre janë të përfshira në skemën e TVSH-së, një politikë e veçantë që nuk zbatohet në asnjë tjetër vend të Ballkanit apo Europës”, tha ai.

Nga rreth 140 mijë biznese aktive, kjo përqindje përfaqëson një politikë lehtësuese që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Duke iu përgjigjur kritikave për taksën progresive, Malaj theksoi se kjo politikë ka lehtësuar barrën për shumicën e qytetarëve dhe ka kthyer në xhepat e tyre rreth 145 milionë euro në vit.

Ai shtoi se 93% e të punësuarve paguajnë nga 0 deri në 10% tatim mbi të ardhurat personale, duke e cilësuar këtë një sistem të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Ministri bëri të ditur se Shqipëria ka dakordësuar me FMN-në dhe Bashkimin Europian një Strategji Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 2024-2027, e cila nuk parashikon rritje të taksave, por synon rritjen e të ardhurave përmes mirëadministrimit tatimor dhe doganor.

Në këtë kuadër, qeveria shqiptare po investon në digjitalizimin total të administratës tatimore dhe doganore, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, me qëllim reduktimin e kontrolleve në terren dhe rritjen e efikasitetit.

Paralelisht, po punohet për përafrimin e kuadrit fiskal me direktivat e Bashkimit Europian, për të përgatitur biznesin shqiptar për integrimin evropian. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›