E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Pullat e reja fiskale do të jenë me barkod, rrisin standardet e sigurisë ushqimore

TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Financave, Petri Malaj bëri të ditur sot se rritja e elementëve të sigurisë në pullat fiskale do të përmirësojë cilësinë e administrimit fiskal, por edhe do të rrisë standardet e sigurisë ushqimore në vend.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Malaj informoi mbi amendimet e VKM-së që lidhen me elementet e e sigurisë së pullave fiskale.

“Propozimet që ne sjellim janë disa risi, sepse pullat e reja që do të hidhen në qarkullim kanë dy elementë. Së pari, rriten elementet e sigurisë që e bëjnë të pamundur, ose ulin mundësinë e falsifikimit të tyre, dhe nga ana tjetër do të vendosim edhe teknologjinë ‘tracking trace’ në pullat fiskale, duke i dhënë mundësinë autoriteteve si tatimore, edhe doganore që t’i ndjekin produktet që nga prodhuesit apo importuesi, deri te konsumatori i fundit”, theksoi Malaj.

Po ashtu ministri bëri të ditur se një risi tjetër e pullave të reja fiskale do të jetë edhe barkodi që do të vendoset në këto pulla fiskale, ku konsumatorët do të kenë mundësinë që të ndërveprojnë me produktin e akcizës.

“Nëpërmjet barkodit dhe një telefoni do të mund të skanojnë produktin dhe të marrin një informacion se kush është prodhuesi, kush është importuesi, cila është data në të cilën ka hyrë produkti në Shqipëri dhe informacione të tjera që vijnë në dobi të sigurisë ushqimore”, shtoi Malaj.

Ministri kujtoi se prej më shumë se një viti këto pulla fiskale prodhohen nga kompania shtetërore “Albtrace” sh.a., me një kosto që është 20% më lirë sesa kur prodhoheshin nga koncesionari i mëparshëm.

“Ndryshimet që ne propozojmë janë në linjë me përafrimin e standardeve të BE-së dhe nga ana tjetër, pa diskutim na përmirësojnë cilësinë e administrimit fiskal, por edhe rrisin standardet e sigurisë ushqimore në vend”, shtoi Malaj.

I pyetur mbi pengesat që mund t’i krijojë bizneseve mosfunksionimi i përkohshëm i portalit “e-Albania”, Malaj theksoi se “në rast se problematikat që vijnë nga sistemi online afektojnë tatimpaguesit apo individët për marrjen e shërbimeve dhe sjellin penalitete, qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme që të tejkalohen këto lloj penalitetesh”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›