“Malësorja” bëhet e pavarur/ Marjana Koçeku, ishte e para në listën e sigurt të PS në Shkodër

Dy gola nga dy debutantë, në të njëjtën minutë. Sapo Kurasao barazoi përkohësisht me Gjermaninë, një tjetër debutante shënonte gol, ose më saktë autogol në portën e qeverisë.
“Prej sot jam deputete e pavarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë,” – shkroi ajo në një status në facebook.
Deputetja më e re e parlamentit, 26-vjeçarja Marjana Koçeku, njohur si “Neomalësorja”, papritur shfaqi rebelizmin e saj ndaj forcës politike që i dha mandatin në parlament, si kryesuese e listës së sigurt në Shkodër më 11 maj 2025.
Ajo u pikas nga PS, si një prurje e veçantë për shkak se si e re e diplomuar në Europë, kishte vendosur të punonte e jetonte në Koman, në bujtinën e familjes së saj, ndërsa gjatë fushatës tregonte jetën në fshat duke mjelë dhi, mbledhur perime dhe bërë xhiro me kajak në liqen.
Ditën e parë në parlament e nisi me një foto, ajo si deputetja më e re dhe Sali Berisha si deputeti më i vjetër, dhe një lutje ndaj Zotit, që të mos linte emrin e skalitur për keq në historinë e Shqipërisë.
Në aktivitetin e saj 10-mujor në parlament, fjalimet e saj janë të pakta dhe të vakëta.
Si përfaqësuese e malësorëve, ajo nuk ka folur asnjëherë as për Thethin, as për Rrjollin.
Kurse rebelizmi i vetëm që ka treguar, është ai ndaj gjuhës shqipe. Refuzimi për të folur zyrtarisht, por vetëm gegërisht.
Megjithatë, duket se ‘Neomalësorja’ e humbi shansin të hyjë në histori.
Ndryshe nga Curacao që pavarësisht se mori 7 gola nga Gjermania, shkroi historinë e vet me golin e shënuar, Marjana Koçeku njoftoi largimin nga PS në momentin kur pjesëmarrja në protestën e 15 në bulevard kundër investimit në Zvërnec ishte më e pakta se çdo ditë tjetër.
Një mandat si e pavarur dhe e paprovuar me votë direkte nga qytetarët nuk e ndihmon dot mbushjen e Bulevardit.
Kurse për PS ky është një tjetër mësim. Tani i mbeten 82 deputetë, por mandati i ikur i eksperimentit “Neomalësore” ishte mundi i socialistëve të Shkodrës./abcnews.al