Mali i Tomorrit gati për pelegrinazhin – Pritet fluks i lartë besimtarësh, masa për sigurinë

Në Malin e Tomorrit kanë hyrë në fazën përfundimtare përgatitjet për pritjen e mijëra besimtarëve bektashinj, që për pesë ditë me radhë do t’i drejtohen tyrbes së Abaz Aliut për pelegrinazhin tradicional të gushtit.
Rrugët që të çojnë drejt malit të shenjtë po bëhen gati për fluksin e pelegrinëve, ndërsa po punohet për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për qëndrimin dhe lëvizjen e tyre gjatë ditëve të pelegrinazhit. Pak ditë përpara nisjes së ceremonive, në Tomorr ishte i pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
“Të gjithë pelegrinët janë të qetë dhe po zhvillojnë pelegrinazhin e tyre në mënyrë të mirë, pa iu munguar asgjë, duke filluar nga rrugët e deri tek ndihma për çdo njeri që vjen. Janë marrë masa nga mjekësia, kundërzjarri dhe policia për të mbajtur rregullin dhe disiplinën. Siç e shikoni, ne po punojmë për përfundimin e rrugës nga Kulmakuçja deri këtu në Azali. Falënderojmë Zotin që na ndihmon në këto ditë të vështira.Falënderojmë të gjithë besimtarët që kontribuojnë për këtë mal të shenjtë të Tomorit. Falënderoj gjithashtu të gjithë anëtarët e këshillave tona, të cilët punojnë pa pushim për ta mbajtur gjallë këtë traditë të shenjtë të Kryegjyshatës Bektashiane.”- tha pwr RTSH Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Nga institucionet lokale dhe strukturat që angazhohen për organizimin pritet një bashkëpunim i plotë për menaxhimin e fluksit të besimtarëve, ndërsa apeli kryesor është për respektimin e rregullave dhe veçanërisht për shmangien e rrezikut të zjarreve.
Për besimtarët kjo nuk është thjesht një ngjitje në mal. Është një udhëtim i besimit, i shpresës dhe i lutjeve, që çdo gusht e kthen Tomorrin në një nga qendrat më të rëndësishme të pelegrinazhit bektashian.
/rtsh.al/