Mallra pa faturë, gjobitet kampingu në Kavajë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë publik në rrjetet sociale, Administrata Tatimore ka zbuluar një tjetër subjekt që ushtronte aktivitet në shkelje të ligjit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një kamping në zonën e Kavajës u inspektua nga Taskforca, e cila verifikoi në vend se subjekti ushtronte aktivitet pa respektuar detyrimet ligjore.
Gjatë kontrollit u konstatua se nuk lëshoheshin fatura tatimore dhe se në ambientet e subjektit ndodheshin mallra pa dokumentacion të rregullt tatimor.
Ndaj subjektit u morën masa administrative, sipas parashikimeve ligjore.
Administrata Tatimore thekson se mbetet e përkushtuar në trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi të ardhur nga qytetarët, duke synuar garantimin e një zbatimi të barabartë të ligjit për të gjithë subjektet ekonomike.
/r.e//a.f/