Manastirliu: Inovacioni i nxënësve të “Arben Brocit”, në festivalin europian të sipërmarrjes

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishte sot në një takim me nxënës të shkollës “Arben Broci” në Tiranë.
Manastirliu tha se në Festivalin e Ideve që po zhvillohet në shkolla, “ideja e Eslit, Erlës, Marsias, Flavios dhe Nensit, nxënës të shkollës “Arben Broci”, u shpall fituese e vendit të parë në garën e Junior Achievement”.
Sipas Manastirliut, këta gjimnazistë me modelin e tyre të biznesit, do të përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin më të madh të sipërmarrjes në Evropë GEN-E 2025 që zhvillohet në muajin korrik në Athinë.
“Ekipi i nxënësve së bashku me mësuesen e shkencave sociale Brunilda Bozhano kanë zhvilluar H₂OAlchemy, një mekanizëm që transformon lagështinë nga ajri në ujë të freskët dhe të pijshëm duke përdorur teknologjinë e kondensimit të mundësuar nga panelet diellore”, tha Manastirliu, ndërsa i përgëzoi të rinjtë për punën e mirë në ekip, si një model që do t’i ndihmojë ata në të ardhmen si në pjesën e edukimit, por edhe të degëve që do të zgjedhin për të studiuar.
Ministria e Arsimit dhe Sportit është e përkushtuar të inkurajojë dhe mbështesë të gjitha aftësitë digjitale në shkolla, duke filluar nga klasa e parë me kodimin, e më pas duke e zhvilluar teknologjinë edhe sa i përket zgjerimit të laboratorëve.
/a.f/