Manastirliu: Së shpejti kodi i etikës për mësuesit dhe rregullat e reja në shkollë

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave të Tiranës, ku fokusi ishte përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor më 8 shtator.
Ministrja Manastirliu bëri të ditur se së shpejti do të prezantohen masa të reja, mes të cilave kodi i etikës për mësuesit dhe rregullat e reja për funksionimin e shkollës.
“Me drejtues të shkollave të Tiranës, për masat e reja që do të prezantojmë së shpejti: kodi i etikës për mësuesit dhe rregullat e reja në shkollë. Diskutuam dhe për përgatitjet për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor me 8 shtator”, njofton Ministrja Manastirliu.Ministria e Arsimit dhe Sportit një ditë më parë ka miratuar edhe një udhëzim që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.
Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.
Prioritet mbeten masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”.
Takimi i Ministres Manastirliu me drejtuesit e shkollave 1 nga 9/a.f/