Manastirliu në Laprakë: Prioritet sistematizimi i hapësirave publike për Tiranën e ardhshme

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, vazhdoi takimet me qytetarët në zonën e Laprakës, duke theksuar se dialogu i drejtpërdrejtë me komunitetin është themelor për vizionin e saj për kryeqytetin.
Duke vizituar segmente të ndryshme të zonës, përfshirë rrugët Marubi dhe Gjergji Legisi, Manastirliu nënvizoi rëndësinë e dëgjimit të shqetësimeve lokale.
“Nga rruga Marubi, Gjergji Legisi, Blloku Gintash e deri te fusha e Laprakës, jam këtu për të takuar njerëzit, për t’i dëgjuar dhe për të folur për Tiranën që duam të ndërtojmë së bashku,” deklaroi ajo.
Si objektiv kryesor për mandatin e saj të ardhshëm, Manastirliu cilësoi sistematizimin e hapësirave publike. Sipas saj, ky fokus do të ndikojë në krijimin e një Tiranë më “funksionale dhe më mikpritëse” për të gjithë banorët.
/rtsh.al/