Manastirliu në Selitë dhe Farkë: Do të zhvillojmë infrastrukturën dhe transportin për të nxitur agroturizmin në kurorën e gjelbër të Tiranës

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu në Selitë dhe Farkë: Do të zhvillojmë infrastrukturën dhe transportin për të nxitur agroturizmin në kurorën e gjelbër të Tiranës
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e takimeve me komunitetet e kryeqytetit, duke u ndalur këtë herë në Selitë dhe Farkë, për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe nevojat e banorëve të zonës.
Gjatë bisedave me banorët, Manastirliu vuri në pah potencialin e madh që këto zona kanë për zhvillimin e agroturizmit, dhe të një modeli të ri të bashkëjetesës pranë natyrës. Ajo nënvizoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe transport, si pjesë e një plani të qartë për t’i dhënë një hov të ri kurorës së gjelbër të Tiranës dhe për të lidhur më mirë periferinë me qytetin.
“Kemi një plan konkret për zhvillimin e infrastrukturës dhe transportit në zonat përreth Tiranës, për t’i dhënë një hov të ri agroturizmit në kurorën e gjelbër të kryeqytetit.”, tha Manastirliu.
Takimet me banorët e Selitës dhe Farkës janë pjesë e një kalendari më të gjerë dëgjimi, ku Manastirliu synon të përfshijë çdo komunitet në vizionin e saj për një Tiranë më të afërt, më funksionale dhe më sociale.
“Tirana është një skuadër e madhe që punon çdo ditë për zhvillimin e saj me njerëzit e saj dhe qytetarët e Tiranës janë skuadra më e fortë. Momenti është që unë të dëgjoj, të kuptoj edhe më shumë dhe më pas të bëjmë një plan së bashku, për të adresuar të gjitha ato shqetësime dhe sfida të përbashkëta që kemi për qytetin, për Tiranën tonë, për të përmirësuar jetën e banorëve tanë”, u shpreh Manastirliu.
Gjatë vizitës në Njësinë 13, në Selitë, Manastirliu u ndal edhe te familja e Pinarëve, një familje e vjetër tiranase, ku diskutoi mbi çështje që prekin përditshmërinë e komunitetit: nga infrastruktura rrugore dhe lidhja me qendrën, deri te shkollat dhe shërbimet sociale, të cilat siç theksoi ajo nuk duhet të mungojnë në asnjë lagje të Tiranës.