Mandatet e opozitës, Berisha: Forumet do të marrin vendimet përkatëse

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Partia Demokratike ende nuk ka një vendim për pranimin e mandateve apo qasjen që do të ketë në sesionin e ri në parlament, i cili pritet të marrë udhë në fillim të shtatorit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se vendimin për këtë çështje do ta marrin forumet përkatëse.
Pas akuzave të ngritura nga PD mbi procesin zgjedhor, i pyetur në një konferencë për shtyp nëse ka një vendim opozita për mandatet e deputetëve, Berisha tha se, “forumet do të marrin vendimet përkatëse Në ditët që vijnë, do të mblidhen forumet dhe do të marrin vendimet përkatëse”.
Gjithashtu Berisha reagoi edhe për lajmin e djeshëm se ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima ishte zhdukur. Familjarët e tij denoncuan në polici, por pas disa orësh Shima u rikthye në banesë duke thënë se ishte larguar për arsye personale.
Policia njoftoi të mërkurën se “në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02.00 ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij”.
Lidhur me ngjarjen, Kreu i PD, theksoi se, Shima kishte dërguar një mesazh ku shkruante: “Po më arrestojnë”.
“I zhdukur nga radarët, i përfolur në kohën e shkarkimit, na shfaqet dje me një SOS. ‘Po më arrestojnë’! Në ora 1.30 minuta, sipas burimeve shumë të afërta me policinë, Shima i dërgon mesazh bashkëjetueses a partneres së tij: Po më arrestojnë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD theksoi se “është e vështirë të besosh në komunikatat e policisë, të cilat një herë thonë se u nis drejt Qytetit Studenti dhe na u zhduk gjurma”.
/a.f/r.e/