Manjani: Reforma e re në skemën e sigurimeve nuk rrit moshën e daljes në pension

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dha sot detaje mbi diskutmet që po kryhen për reformimin e skemës së pensioneve.
Manjani tha se një ndër propozimet e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit, por se ky propozim, sipas saj, është kundërshtuar, pasi ky element është ezauruar në reformën e vitit 2014.
Sipas Manjanit, mund të diskutohet përshpejtimi i zbatimit të skemës së rritjes së moshës, por jo përtej 67 vjeç.
“Refomimi i skemës së sigurimeve shoqërore është shumë i rëndësishëm për të marrë parasysh faktorët që dikojnë skemën. Një ndër propozimet e BB ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit. Ne e kemi kundërshtuar, pasi ky element është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku ka nisur rritja për gratë dhe do të fillojë për burrat në 2032. Në vitin 2056 do të ketë barazim të moshës, 67 vjeç për secilën gjini. E vetmja që mund të ndryshojë është përshpejtimi në zbatimin e skemës së rritjes së moshës së pensionit, por jo përtej 67 vjeç”, deklaroi Manjani.
Zv/ministrja Manjani tha se rritja e të ardhurave ndikohet qoftë nga rritja e numrit të kontribuesve, por edhe për shkak të rritjes së pagave.
Ajo shpjegoi edhe se pse vendet e rajonit kanë pensione më të larta. Sipas saj, këto vende periudhën e tranzicionit e kanë pasur të ndryshme nga vendi jonë.
“Deri në 2014 kishim skemë me tavane administrative për pensionin minimal dhe maksimal duke e dëmtuar atë pasi nuk lidhte masën e kontributeve kundrejt skemës me masën e përfitimit”, tha Manjani.
Më tej, ajo u ndal edhe te efektet e reformës së vitit 2014.
Manjani deklaroi se rritja ekonomike, zhvillimi i tregut të punës dhe lufta kundër informalitetit kanë bërë të mundur që të ardhurat kontributive të rriten mbi 2.5 herë në krahasim me vitin 2013. Pra nga 51.3 miliardë lekë që ishin të ardhurat në skemën e sigurimeve shoqërore në 2013-ën, në 124 miliardë lekë në 2023 dhe 132 miliardë lekë që parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2024.
Në raport me PBB, Manjani tha se të ardhurat kontributive janë rritur nga 3.81 % në 5.39 %, ose një rritje me rreth 1.6 pikë përqindje ndaj PBB.
Sa i përket shpenzimeve të skemës, Manjani tha se janë rritur gjtihashtu.
“Nga 95.6 miliardë lekë në 170.2 milairdë lekë, ose rreth 75 miliardë lekë më tepër në këto 10 vitet e fundit. Të gjitha këto shpenzime janë transferuar në buxhetet familjare të qytetarëve. Në raport me PBB rritja e shpenzimeve është nga 7.08 % e PBB në 7.38 % e PBB-së, ose një rritje me 0.3 % e PBB”, tha Manjani.
Komisioni i Ekonomisë, foto: Florian Abazaj 1 nga 3