Maqellarë, policia referon në SPAK për korrupsion në zgjedhje 4 persona

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Policia e Dibrës njoftoi sot se “mbrëmjen e 9 majit, rreth orës 21:15, ka marrë një telefonatë denoncimi nga shtetasi Xh.Gj., kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie”.
Siç bëri me dije më tej policia “menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore”.
Sipas policisë “për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç”. /a.g/