Maratona e notit “Agron Ruvina” në Pogradec, homazh sportiv me jehonë ndërkombëtare

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Më shumë se 100 notarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj morën pjesë në edicionin e pestë të Maratonës së Notit “Agron Ruvina”, e kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme sportive në qytetin e Pogradecit.
Maratona, që zhvillohet në ujërat e liqenit të Ohrit në nder të notarit të njohur Agron Ruvina, ka tërhequr këtë vit garues nga vende si Greqia, Ukraina dhe Islanda, duke i dhënë aktivitetit një dimension ndërkombëtar.
Në kategorinë e moshës 14-vjeçare, Lizi Gusho dhe Devi Shtaro u shpallën fitues përkatësisht në kategorinë e vajzave dhe të djemve.
“Jam shumë e lodhur, por e lumtur që fitova. Jetoj dhe stërvitem në SHBA, por jam nga Pogradeci dhe është krenari të jem pjesë e kësaj gare,” – u shpreh Lizi Gusho pas fitores.
“I lodhur, por i emocionuar. Ishte një sfidë e bukur,” – tha Devi Shtaro.
Triumf në kategorinë e notarëve veteranë shënoi Ana Angjellari, e cila pas tre pjesëmarrjesh arriti më në fund vendin e parë.
“Jam shumë e lumtur. Ky ishte synimi im prej tre vitesh. Besoj kjo do të jetë edhe pjesëmarrja ime e fundit,” – tha ajo me emocione.
Organizatori Vladimir Mato theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme të interesit për maratonën:
“Kemi mbi 100 pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga jashtë vendit. Kjo tregon se eventi po fiton emër dhe respekt.”
E pranishme në aktivitet, Sofika Ruvina, motra e notar Agron Ruvinës, u shpreh e emocionuar për nderin që i bëhet çdo vit vëllait të saj:
“Fjalët janë të pakta për të. Krenohemi pa masë me Agronin dhe jemi të nderuar për çdo kujtim që mbetet gjallë përmes kësaj maratone.”
Maratona e Notit “Agron Ruvina” konfirmon edhe një herë lidhjen e veçantë të Pogradecit me sportin e notit dhe shërben si frymëzim për brezat e rinj që duan të ndjekin pasionin në ujërat e ëmbla të liqenit të Ohrit.