E Diel, 1 Nëntor 2026

Mario Mitaj, mes mbrojtësve U-23 më të shtrenjtë jashtë Europës sipas CIES

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Mario Mitaj vazhdon të konfirmohet si një nga mbrojtësit e rinj më të vlerësuar në kampionatet jashtë Europës.

Pavarësisht zërave për një largim të mundshëm nga Al Ittihad, paraqitjet e tij me skuadrën saudite e kanë pozicionuar mes emrave më premtues në rolin e tij.

Sipas një raporti të fundit të Qendrës Ndërkombëtare për Studime në Sport (CIES), Mitaj është përfshirë në dhjetëshen e mbrojtësve nën 23 vjeç me kartonin më të kushtueshëm jashtë Europës, me një vlerë të përllogaritur prej 8,38 milionë eurosh.

Mbrojtësi shqiptar ka regjistruar 40 paraqitje zyrtare me Al Ittihad, duke kontribuar me dy gola dhe katër asistime, ndërsa ka qenë pjesë e një sezoni të suksesshëm për klubin, i cili ka fituar kampionatin dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite.

Lista e publikuar nga CIES kryesohet nga talenti argjentinas Agustín Giay, aktualisht pjesë e Palmeiras në Brazil, kartoni i të cilit vlerësohet afro 20 milionë euro.

Giay ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha europiane si Roma, Napoli dhe Atletico Madrid.

Rritja e vazhdueshme e Mitajt në nivel individual dhe kolektiv pritet të nxisë interes konkret nga klube të tjera, duke e bërë të ardhmen e tij një nga temat më të ndjekura në merkato për futbollistët shqiptarë.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›