Marjana Koçeku beson se fiton pa PS-në, kërkon zgjedhje të parakohshme

Vetëm tre ditë pasi u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja e pavarur Marjana Koçeku duket se është bindur se mund të masë forcat e vetme me partinë që e çoi në Kuvend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku iu përgjigj zërave brenda mazhorancës që i kanë kërkuar të dorëzojë mandatin, duke deklaruar se ai nuk i përket PS-së, por asaj dhe votuesve që e mbështetën.
Ish-deputetja socialiste nuk u mjaftua vetëm me mbrojtjen e mandatit, por hodhi edhe një sfidë politike, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka”, shkruan ajo.
Por pjesa që ka tërhequr më shumë vëmendje është paralajmërimi i saj për një kandidim të mundshëm në Tiranë, ku thotë se do të zbresë në garë “me kecin tim të shtrenjtë dhe kmesën e mprehtë”.
Një deklaratë që është pritur me ironi në rrjetet sociale, ku shumë komentues kanë kujtuar se mandati i saj erdhi nën siglën e Partisë Socialiste dhe jo si një kandidate e pavarur.
Në reagimin e saj, Koçeku shkruan:“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet.”
Mbetet për t’u parë nëse sfida e deputetes do të mbetet një deklaratë politike e momentit apo nëse ajo do të provojë realisht forcën elektorale pa mbështetjen e partisë që e bëri deputete.