Marrëveshja për Gazën, Tafani: Hamasi largohet nga skena politike, nis një epokë e re në Lindjen e Mesme

Në një analizë të detajuar në studion e RTSH-24, analisti i njohur Endri Tafani ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit, duke e cilësuar si një moment historik që mund të hapë rrugën drejt paqes në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, ky plan është një përpjekje e koordinuar ndërkombëtare për të çrrënjosur radikalizmin dhe për të ndërtuar themelet e një shteti palestinez funksional.
“Sipas asaj që është dakordësuar, e para e punës sot është që Hamasi duhet të zhduket si organizatë. Pra, duhet të dorëzojë armët dhe të largohet nga politika, duke mos qenë më në kontrollin e Rripit të Gazës,” tha Tafani duke cituar pikat e marrëveshjes.
Ai tha se pranimi i marrëveshjes nga Hamasi ka ardhur si pasojë e përballjes me asgjësimin e plotë.
Analisti tha se “ Organizata e Hamas ka pranuar këtë marrëveshje dhe kërkohet që Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor të administrohet, të tregojë që janë për shtet dhe më pas të krijohet shteti Palestinez mbi ato territore.”
Një nga pikat kyçe të planit është deradikalizimi i Gazës, u shpreh Tafani, dhe zhdukja e Hamasit si forcë politike, duke u zëvendësuar me një administrim të përbashkët ndërkombëtar.
“Gjithashtu nga autoritetet palestineze kërkohet që të reformohen, dhe sa të plotësohen këto kushte, administrimi nuk do bëhet nga vetë palestinezët por do ketë një bord që do përbëhet edhe nga fuqi të tjera. Një nga njëzet pikat është dhe kjo që do krijohet Bordi i Paqes, që presidenti i SHBA-së tha që do drejtohet prej tij, do jetë dhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair,” u shpreh Tafani.
Plani parashikon edhe krijimin e një force të armatosur palestineze, e cila nuk do të ketë lidhje me Hamasin dhe do të mbështetet nga vendet arabe.
“Duhet kuptuar që ky është një plan paqe përsa i përket situatës tani, ndërsa përsa i përket ndërtimit të shtetit palestinez do duhet një kohë edhe më e gjatë. Por fatkeqësia më e madhe është se janë humbur 30 vjet që prej 1993,” tha ai.
Në analizën e tij gjeopolitike, Tafani theksoi se të gjitha shtetet e rajonit, përveç Iranit, janë pro planit të paqes.
“Irani është i vetmi shtet që e ka përdorur Hamasin për të hedhur në erë gjithë marrëveshjet e arritura,” tha ai.
Sipas Tafanit, ky plan është propozuar nga Arabia Saudite në vitin 2024, gjatë vizitave të ish-Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në rajon.
“Duhet thënë që Izraeli ka qenë i gatshëm për këtë, por Hamasi e ka kundërshtuar vazhdimisht. Arabia Saudite ka qenë gjithmonë për zhdukjen e Hamasit si forcë politike sepse krijonte vetëm probleme. Tashmë është pranuar nga Hamasi sepse është e detyruar, sepse kanë mbetur vetëm kilometrat e fundit dhe mund të ishte para asgjësimit të plotë,” përfundoi Tafani.
/rtsh.al/