Marrëveshje bashkëpunimi për zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale në Shqipëri

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) anëtar i Grupit të Bankës Botërore dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të fuqizuar shërbimet financiare digjitale dhe zhvillimin e fintech në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkruan, në Tiranë nga Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Bledar Shella dhe Nicolas Marquier, Menaxheri Rajonal për Ballkanin Perëndimor, i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).
Ky bashkëpunim fokusohet në gjashtë fusha kryesore për të ndërtuar një sistem financiar më të fortë dhe më gjithëpërfshirës në Shqipëri:
Thjeshtimi i procesit të identifikimit digjital dhe e-KYC: Mbështetja e adoptimit të praktikave elektronike “Njih klientin tënd” (e-KYC) për të përmirësuar autentifikimin e përdoruesve dhe menaxhimin e rreziqeve.
Avancimi i Open Banking: Identifikimi i mundësive me ndikim për zhvillimin e Open Banking dhe ofrimi i asistencës teknike për të mundësuar integrim më të mirë dhe përvoja më të mira për klientët.
Promovimi i pagesave pa para (cashless): Ndarja e praktikave më të mira ndërkombëtare për të rritur adoptimin e sistemeve të pagesave pa para dhe të menjëhershme, duke rritur njëkohësisht edukimin financiar.
Forcimi i sigurisë kibernetike: Rritja e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e sigurisë kibernetike dhe mbështetja e sektorit financiar në adoptimin e praktikave të sigurta.
Shfrytëzimi i teknologjisë cloud: Fuqizimi i sektorit financiar në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave.
Përmirësimi i sistemeve të informacionit të kreditit: Mbështetja për krijimin e byrove private të kreditimit dhe përmirësimi i përdorimit të të dhënave për të rritur qasjen në financa për segmentet më pak të mbuluara.
Kjo marrëveshje pritet të ketë një ndikim transformues në sektorin financiar në Shqipëri duke zgjeruar qasjen në sherbime financiare digjitale dhe inovative; forcuar infrastrukturën për një treg të qëndrueshëm fintech; dhe mundësuar sisteme kreditimi më të sigurta dhe më efikase që mbështesin si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.
Nisma do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027 dhe pasqyron angazhimin e përbashkët të IFC dhe AAB për të mbështetur modernizimin e ekosistemit financiar të Shqipërisë dhe përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare.
Projekti menaxhohet nga Njësia Këshilluese dhe Ekonomike e IFC-së dhe financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Ky partneritet synon të krijojë një ekosistem financiar modern dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri duke nxitur bashkëpunimin midis palëve të interesuara publike dhe private, duke promovuar inovacionin dhe forcuar infrastrukturën financiare.
Lidhur me këtë projekt, AAB do të bashkëpunojë me IFC-në duke punuar në ekipe teknike për vlerësimet, diagnostikimin dhe organizimin e seminareve, trajnimeve dhe nismave për ngritjen e kapaciteteve, etj.
IFC është institucioni më i madh i zhvillimit global që fokusohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Projekti i Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financimit të Integruar i Ballkanit Perëndimor dhe Projekti i Sistemit të Informacionit të Kredisë i IFC-së ofrojnë këshilla për përafrimin e sistemeve financiare shqiptare me standardet evropiane, duke nxitur njëkohësisht inovacionin dhe përmirësuar sistemet e informacionit të kreditit.
1 nga 3