E Enjte, 5 Nëntor 2026

Marrëveshje për funksionalizimin e muzeut “Nënë Tereza” në Prizren

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Në qytetin e Prizrenit po vihet në funksion Muzeu i Nënë Terezës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës bëri me dije se ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit dhe Fondacionit të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – CHwB, për funksionalizimin e muzeut “Nënë Tereza” i cili do të hapet së shpejti për vizitorët.

Përveç ekspozitës së përhershme, muzeu do të ketë program artistik vjetor e aktivitete edukuese për fëmijë, duke u shndërruar në një hapësirë kulturore shtesë për qytetin e Prizrenit.

Memorandumi është nënshkruar nga sekretari i MKRS, Xheladin Krasniqi, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi dhe drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi.

Muzeu “Nënë Tereza” në Prizren, paraqet një përpjekje arkitektonike të shkëlqyer për përdorimin e hapësirës në një mjedis të kufizuar, tashme i kthyer ne një pikë referimi në qytet. I vendosur përballë Katedrales katolike të Prizrenit, muzeu ka edhe një lidhje emocionale e historike me vendin, pasi aty janë kurorëzuar prindërit e Nënë Terezës. Ndërsa, muzeu shfaq thjeshtësi në formën e tij të jashtme, ai shfaq po ashtu edhe një pasuri të brendshme hapësinore. Përdorimi i dritës nga lart dhe lëvizja e volumeve vertikalisht dhe horizontalisht, bëjnë që objekti të duket më i madh dhe të ofrojë një përvojë mahnitëse për vizitorët. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›