Martina Fuchs, engjëlli mbrojtës i Haitit
Një ditë pas katastrofës natyrale të 12 janarit të këtij viti, ndihmat për Haitin erdhën nga të gjitha anët e botës: miliona persona dhuruan çfarë mundën, ndërsa një numër i madh të tjerësh shkuan për të dhënë kontributin e tyre në vend. Mes tyre ishte edhe Martina Fuchs, doktoresha gjermane që, pak ditë pas tërmetit nisi menjëherë punën e saj në Haiti. Martina ka vendosur të kthehet sërish aty, sepse e ka kuptuar që Haiti ka nevojë për njerëz si ajo në këtë moment. Kanë kaluar 11 muaj që kur tërmeti me pasoja apokaliptike i dha goditjen e fundit këtyre njerëzve, e pas katastrofës u publikuan edhe shifrat marramendëse: më shumë se 220 mijë viktima, 1.3 milionë njerëz të pastrehë, dhe dëmtime në një shumë prej 8 miliardë dollarësh, shumë që e kalon rendimentin ekonomik vjetor të Haitit para tërmetit. Ndihmat për Haitin nuk janë administruar kurrë si duhet, dhe pas një viti situata është më e dëshpëruar se më parë. Me rastin e konferencës ndërkombëtare të vendeve donatore, u vendos që për dhjetë vitet e ardhshme do të vihen në dispozicion për rimëkëmbjen e vendit rreth 9.8 miliardë dollarë nga ana e institucioneve dhe 59 vendeve.
Paratë nuk mjaftojnëMegjithatë, paratë nuk janë të mjaftueshme për të shëruar Haitin. Ajo për të cilën vendi më i varfër në botë ka nevojë është mbështetja për të përballuar ndërtimin. Janë akoma të shumtë njerëzit e plagosur, të sëmurë dhe pa shtëpi, që kanë nevojë për çdo lloj ndihme. Me organizatën e saj, “Real Medicine Foundation”, doktoresha Martina Fuchs shkoi në vendin e vogël karaibik vetëm një javë pas tërmetit, duke kuruar bashkë me një grup mjekësh të ardhur nga e gjithë bota, të plagosur e të sëmurë, duke vaksinuar fëmijë dhe instaluar klinika të lëvizshme. Mjekët iu bashkuan shpejt apelit të organizatës së saj. Kërkesa u dërgua përmes e-mailit. “Kush do të fluturojë pasnesër për në Nju Jork e më pas për në Haiti?” - shkruhej aty. Dhjetë mjekë e pranuan menjëherë ftesën. Pas rreth 6 muajve punë në Haitin e gjunjëzuar nga dhimbja, doktoreshës iu desh të kthehej në Gjermani për të vazhduar aktivitetet e saj.
Rikthimi në HaitiShumë shpejt, Martina Fuchs do të shkojë sërish në Haiti për të parë nga afër situatën. Do të qëndrojë për pesë ditë e do të shoqërohet nga një grup mjekësh e infermierësh.
Doktoresha Fuchs, si ishte situata herën e fundit që ishit në Haiti?
Kur u largova, kryeqyteti Port-au-Prince ishte si një kamp refugjatësh. Mbizotëronte kaosi absolut.
Situata aktuale duket shumë e rrezikshme, sidomos për gratë. A mund ta konfirmoni këtë?
Sigurisht. Për gratë është shumë e vështirë. Mendoni të imagjinoni se si mund të jetë jeta në këto kampe: nuk ka akoma çadra të mjaftueshme, mungon uji i pijshëm. Po ashtu, kemi dëgjuar nga shumë gra të reja se janë përdhunuar në mes të ditës. Askush nuk i ka mbrojtur.
Çfarë prisni nga ky udhëtim?
Duhet të përpiqemi më shumë që të ndihmojnë sa më shumë persona në nevojë. Jemi në prag të realizimit të një iniciative me këngëtarin Wycleaf Jean. Me mbështetjen e tij do të ndërtojmë një nga klinikat më të mëdha në Port-au-Prince. Do të vazhdojmë të dërgojmë mjekë, vaksina dhe dispozitivë mjekësorë. Por, në të gjithë këtë e rëndësishme është që Haitit të mos bjerë në harresë dhe dëshpërim.
Rreth 10 miliardë dollarë janë akorduar si ndihma për Haitin. Çfarë mendoni se duhet bërë më parë me ato lekë?
Deri tani bëhet fjalë vetëm për premtime. E rëndësishme është që këto para të jepen vërtet dhe të shkojnë atje ku duhet.
Si duket e ardhmja e Haitit?
Haiti mund të bëhet vërtet një model për bashkëpunimin e frytshëm mes shteteve. Bëhet fjalë për kombet më të varfra në hemisferën perëndimore, për një vend të shkatërruar që nga themeli. Ne, komuniteti ndërkombëtar, duhet t’u tregojmë që nuk i lëmë vetëm e se dimë t’i bashkërendojmë gjërat.
Pjesën më të madhe të kohës ju punoni në zonat e goditura nga katastrofa. Nuk është e vështirë?
Aspak. Përkundrazi. Përqendrohem tek zgjidhjet, e jo tek problemet. Për momentin jemi në gjendje t’u asistojmë çdo ditë rreth 3 milionë personave në të gjithë botën. Kjo më jep shumë guxim. Kur njeriu përqendrohet tek gjërat që mund të lindin në të ardhmen nuk mund të ketë kurrë sukses. Kush i hedh hapat një nga një dhe në kohën e duhur, atëherë mund të arrijë diçka.