E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa e sigurisë nga Spitali i Traumës, Gjykata e Korçës lë në burg autorin e vrasjes së efektivit Enea Mekolli

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Violand Bracellarin, autorin e dyshuar të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjes së një efektivi tjetër gjatë operacionit për kapjen e tij.

Masa e sigurisë është zhvilluar në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi Bracellari ndodhet nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë.

Vendimi është dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Korçës, Gentjan Sallahu, i cili ka vendosur lënien në burg të Bracellarit deri në përfundim të hetimeve.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni policor në Maliq për kapjen e Bracellarit, i cili ishte person në kërkim. Gjatë përplasjes me armë humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga organet kompetente.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›