E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Reçakut, Kosova ngre aktakuzë për 21 persona

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 civilë .

Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.

Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Prokuroria thotë se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.

Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e bëri William Walker, i cili më 1999 shërbente si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së.

Edhe sot, ambasadori Walker vazhdon ta cilësojë këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit.

Ai thotë se ajo çfarë u kishte interpretuar  komunitetit ndërkombëtar në atë kohë, për atë çfarë kishte parë në Reçak vazhdon të qëndrojë edhe sot, e gjallë në sytë  e tij.

“Mendoj se sakrificat e bëra në Reçak nga njerëzit atje, ajo çfarë ju ka ndodhur atyre, thellësisht e ka ndryshuar çështjen e Kosovës, nga të qenit një provincë e neglizhuar në atë që është sot; një shtet i pavarur. Besoj sinqerisht, se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviq po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s”, do të deklaronte diplomati.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja sulmoi bazat ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi dhe pas 78-ditësh, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›