E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Shkodër! Shpallen në kërkim bashkëpunëtorët e Ragip Gilës, dyshohet se i siguruan armët 28-vjeçarit

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen tragjike të ndodhur ditën e djeshme në një lokal në lagjen “Qemal Stafa” të Shkodrës, ku shtetasi Ragip Gila qëlloi me armë zjarri, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të autorit dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy armë zjarri (një automatik dhe një pistoletë), një skafandër, një maskë, një jelek antiplumb dhe një shishe me lëndë djegëse që i përkisnin shtetasit Ragip Gila Po ashtu, u sekuestrua automjeti i vjedhur me armë dhe një motomjet pa targë.

Në kërkim janë shpallur shtetasit Barush Bregu (Bajram Bregu), 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohen për sigurimin e armëve dhe mjeteve materiale për kryerjen e krimeve, si dhe për mbajtje pa leje armësh dhe vjedhje. Në banesën që përdornin si bazë kriminale në lagjen “Guerrile” janë gjetur dhe sekuestruar 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore, municion luftarak, një automjet “Audi” me targa të vjedhura, 5 dronë me pajisjet përkatëse, laptop dhe aparate fotografike.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës.

Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:
-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
U sekuestruan:
-2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;
-automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar:

1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›