E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi 35 biznese, arrestohet 26-vjeçari nga Saranda

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Një 26-vjeçar nga Saranda u arrestua nga policia, pasi kishte mashtruar mbi 35 biznese duke u prezantuar si zyrtar i shtetit.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit falënderoi sot Drejtorinë Vendore të Policisë së Gjirokastrës për goditjen e këtij rasti mashtrimi, të kallëzuar nga vetë IKMT.

Fillimisht, IKMT u vu në dijeni se një person, i cili mashtronte duke u vetëidentifikuar si punonjës i këtij institucioni, arrinte të përvetësonte shuma monetare nga përfaqësues të bizneseve të ndryshme në disa qytete.

Menjëherë, IKMT iu drejtua Policisë së Shtetit duke denoncuar rastin dhe bashkëpunoi ngushtësisht me strukturat ligjzbatuese.

Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Gjykatën, finalizoi operacionin duke kapur në flagrancë shtetasin L. M., 26 vjeç, banues në Sarandë. Ai u kap në flagrancë duke marrë, nëpërmjet mashtrimit, një shumë prej 56 000 lekësh të rinj nga një shtetas.

Ky shtetas ka mashtruar me qëllim përvetësimin e shumave të parave, 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.

IKMT inkurajon qytetarët dhe bizneset të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, me garancinë e një reagimi të shpejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›