E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mashtronin me bursa fiktive, 7 persona në pranga

SPAK dhe Policia e Shtetit kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve në vende të ndryshme të botës përmes platformave të rreme të investimeve online. Operacioni është mbështetur nga Europol dhe Eurojust dhe është zhvilluar në disa shtete të Europës.

Në përfundim të fazës së fundit të tij, janë arrestuar 7 persona, janë sekuestruar mbi 100 serverë dhe janë kontrolluar 17 ambiente. Dëmi financiar i dyshuar nga aktiviteti kriminal vlerësohet në më shumë se 4 milionë euro.

Kjo fazë vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera në vitet 2022 dhe 2025, në kuadër të të njëjtit hetim ndërkombëtar.

Sipas hetimeve, është identifikuar edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti mashtruese. Klientë të dyshuar të kësaj kompanie janë evidentuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Skema mashtruese synonte qytetarët duke u premtuar fitime të larta nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Fillimisht, viktimave u paraqiteshin fitime fiktive për të fituar besimin e tyre, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t’i bindur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha parash.

SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri i krijuar me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetri me Kosovën.

Rezultatet e operacionit janë bërë publike nga Eurojust, në kuadër të hetimit ndërkombëtar ndaj rrjetit të dyshuar të mashtrimit me investimet online.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›