Mbahet nga rebelët Huthi, Marina izraelite sulmon qytetin portual Hodeida të Jemenit

Marina izraelite sulmoi të martën portet në qytetin portual Hodeida të Jemenit, i cili mbahet nga rebelët, duke dëmtuar objektet që janë thelbësore për dërgesat e ndihmave në kombin e uritur dhe të shkatërruar nga lufta.
Ushtria izraelite tha se anijet raketore të marinës kryen sulmet, hera e parë që forcat e saj janë përfshirë në sulme kundër rebelëve Huthi.
Sulmi i së martës vjen ndërsa rebelët Huthi kanë lëshuar vazhdimisht raketa dhe dronë që synojnë Izraelin gjatë luftës së tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Rebelët njoftuan sulmin nëpërmjet kanalit të tyre satelitor të lajmeve al-Masirah. Ata thanë se sulmi kishte në shënjestër portet atje, pa dhënë hollësi.
Të hënën vonë, Izraeli lëshoi paralajmërime në internet për jemenasit që të evakuohen nga portet Ras Isa, Hodeida dhe al-Salif.
“Porti përdoret për të transferuar armë dhe është një shembull i mëtejshëm i shfrytëzimit cinik të infrastrukturës civile nga regjimi terrorist Huthi me qëllim avancimin e aktiviteteve terroriste”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të martën.
Hodeida është pika kryesore e hyrjes për ushqim dhe ndihma të tjera humanitare për miliona jemenas që nga fillimi i luftës kur Huthit pushtuan kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, në vitin 2014.
Huthit kanë nisur sulme të vazhdueshme me raketa dhe dronë kundër anijeve tregtare dhe ushtarake në rajon, në atë që udhëheqja e grupit e ka përshkruar si një përpjekje për t’i dhënë fund ofensivës së Izraelit në Gaza.
Nga nëntori i vitit 2023 deri në janar të vitit 2025, Huthit shënjestruan më shumë se 100 anije tregtare me raketa dhe dronë, duke fundosur dy prej tyre dhe duke vrarë katër marinarë. Kjo e ka zvogëluar shumë rrjedhën e tregtisë përmes korridorit të Detit të Kuq./vizionplus.tv