E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbështetja e BE për shkollat, 6 objekte arsimore të rindërtuara në Kurbin

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Programi “EU4Schools” , “BE për Shkollat” ka bërë të mundur rindërtimin apo riparimin e plotë të 6 objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Bashkinë e Kurbinit.

Kështu njofton përmes një publikimi në rrjet social, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP në Shqipëri.

Objektet të cilat u rindërtuan apo riparuan janë: Shkolla 9-vjeçare & kopshti “28 Nëntori”, Fushë-Milot; Shkolla 9-vjeçare & kopshti “Cub Çapani” Malbardhë, Milot; Shkolla 9-vjeçare & kopshti “Demokracia”, Mamurras; Shkolla 9-vjeçare & kopshti “Gjokë Elezi”, Laç; Kopshti Nr. 1 “Mimozat”, Mamurras; dhe Kopshti Nr. 2, Laç.

UNDP në Shqipëri nënvizon se, “jemi të lumtur që falë “EU4Schools” kemi garantuar mjedise bashkëkohore sikurse në vendet e BE-së për afro 1,100 nxënës, fëmijë dhe mësues, pjesë të këtyre institucioneve në Kurbin, ku përfitojnë gjithashtu 44,000 banorë të komuniteteve të prekura.”

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 59 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.

1 nga 6

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›