Mbështetje fermerëve të Kukësit dhe Dibrës për kultivimin e mjedrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kultivimi i frutit të mjedrës, një kulturë e re në vendin tonë, falë mbështetjes nga ekspertët e bujqësisë, po realizohet me sukses nga fermerët në vendin tonë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi realizimin me sukses të mbjelljes së fidanëve të mjedrës nga fermerët në Dibër dhe Kukës.
Ajo e cilësoi këtë iniciativë, një hap konkret drejt kultivimit të kësaj kulture të re, që është fitimprurëse dhe ka kërkesë të lartë në treg për të.
“Falë mbështetjes së GIZ dhe njohurive të fituara nga trajnimet praktike dhe përgatitjet në terren, fermerët po zbatojnë teknika moderne që rrisin efikasitetin në përdorimin e tokës dhe cilësinë e prodhimit, duke e bërë sektorin bujqësor më të qëndrueshëm për të ardhmen”, u shpreh Denaj.
Mjedra bën pjesë në grupin e pemëve manore me vlera të larta ushqyese dhe ekonomike. Ajo është e pasur me vitamina, minerale dhe antioksidantë.
Mjedra kultivohet gjerësisht në Kosovë dhe falë mbështetjes nga Skemat Kombëtare, fermerët kanë nisur të investojnë për kultivimin e saj, që kërkon teknologji të posaçme, teksa kushtet klimaterike në Shqipëri e favorizojnë zhvillimin e mjedrës. /j.p/
1 nga 4