E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se në kushtet e reshjeve intensive dhe dëborës, efektivët e Forcave të Armatosura po garantojnë sigurinë e banorëve nga veriu në jug.

Sipas ministrit, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën, ndërsa skuadrat xheniere po riparojnë infrastrukturën dhe sigurojnë lëvizshmërinë në të gjitha zonat e prekura.

“I gjithë aparati i mbrojtjes është i angazhuar maksimalisht në mbështetje të strukturave lokale. Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente”, u shpreh Vengu.

Sipas tij, në Durrës janë angazhuar 62 efektivë, 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate, 7 motopompa, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 34 efektivë, ndërsa një motopompë po ndihmon forcat për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.

Në fshatin Obot, në Shkodër, po punojnë 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë, në ndihmë të komunitetit.

Ndërkohë, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, me angazhimin e 3 efektivëve dhe 2 mjeteve.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministri Vengu theksoi se strukturat janë të bashkuara dhe gati për të reaguar në çdo situatë emergjente.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›