Mbi 100 ekspozues në “Ditët e Bujqësisë 2026” në Lushnjë, nga fermerët tek kompanitë e inputeve dhe ato financiare

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Panairi ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026” u zhvillua nga 28 deri më 30 prill në Lushnjë, duke e kthyer qytetin në kryeqendër të bujqësisë dhe blegtorisë.
Në edicionin e pestë të tij, eventi konfirmoi rolin si një nga platformat më të rëndësishme për agrobiznesin, duke mbledhur mbi 100 ekspozues nga i gjithë zinxhiri i vlerës, përfshirë fermerë, kompani të inputeve bujqësore, teknologji, makineri, përpunim, logjistikë dhe institucione financiare.
I dizenjuar në një hapësire të bollshme në qendrën e qytetit, të ndarë në seksione për ekspozuesit sipas profileve që përfaqësojnë, panairi shërbeu si një vendtakim konkret për krijimin e lidhjeve mes fermerëve, biznesit dhe sipërmarrjeve; prezantimin e inovacioneve në fushën e bujqësisë dhe diskutimin e sfidave dhe zhvillimeve të sektorit ndërsa pati edhe pjesëmarrje ndërkombëtare, me delegacione biznesi.
Gjatë tre ditëve të aktivitetit u zhvilluan konferenca, panele diskutimi dhe workshop-e mbi temat kryesore të sektorit, si përafrimi me standardet e Bashkimit Europian, digjitalizimi i bujqësisë, financimi dhe ndërkombëtarizimi i bizneseve. Nuk munguan dhe performancat artistike nga grupet e artistëve të këngëve dhe valleve popullore nga zona të ndryshme të vendit duke i dhënë edhe më shumë atmosferë prezantimit të produkteve shqiptare.
Dimensioni ndërkombëtar dhe fokus te zhvillimi i qëndrueshëm
Një nga risitë e këtij edicioni ishte pjesëmarrja ndërkombëtare, me delegacione biznesi nga Europa, përfshirë një mision tregtar nga Polonia dhe përfaqësues të sektorit të makinerive bujqësore nga Çekia.
Kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e cilësoi panairin një nga instrumentet më të rëndësishme të promovimit dhe zhvillimit të sektorit të bujqësisë
Sefa u shpreh për ATSH-në, se panairi ka shënuar një rritje të vazhdueshme që nga nisja e tij në vitin 2022 ndërsa vëmendje të veçantë gjatë tre ditëve kanë marrë zhvillimi i konferencave, paneleve dhe workshop-eve mbi tema si standardet e BE-së, varietetet autoktone, digjitalizimi, financimi dhe ndërkombëtarizimi i bizneseve.
“Kemi bashkëpunuar me kompaninë organizatore për të konkretizuar këtë ide, me synimin për ta kthyer Lushnjën, si zemra e bujqësisë, në një qendër që merr vëmendjen dhe rëndësinë e duhur. Qëllimi është promovimi i bujqësisë jo vetëm në Lushnjë dhe në Shqipëri, por edhe në përmasat ndërkombëtare që ka marrë ky panair. Gjatë këtyre pesë edicioneve kemi arritur të sjellim shumë kompani nga rajoni dhe vende të ndryshme të Europës, duke krijuar një ndërthurje të drejtpërdrejtë mes fermerëve vendas, bizneseve dhe kompanive të huaja. Kjo ka bërë të mundur forcimin e bashkëpunimit mes tyre, me fokus gjetjen e tregjeve të shitjes, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e çmimeve për prodhuesit dhe punën e tyre”, u shpreh ajo.
“Qëllimi ka qenë që Lushnja, si zemra e bujqësisë, të marrë vëmendjen e merituar dhe të promovojë bujqësinë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në dimension ndërkombëtar, duke krijuar lidhje mes fermerëve dhe biznesit të huaj”, u shpreh Sefa për ATSH-në.
Lushnja, platforma kryesore e agrobiznesit dhe zinxhirit të vlerës
Edicioni i pestë i panairit u konsolidua si një nga platformat më të plota sektoriale në vend, duke mbledhur fermerë, agrobiznese, kompani teknologjie, institucione financiare dhe organizata ndërkombëtare në një hapësirë të vetme bashkëpunimi.
Sipas organizatores, Enejda Sheku eventi shërben si një pikë takimi ku “krijohen lidhje konkrete biznesi, prezantohen zgjidhje të reja dhe diskutohen zhvillimet e sektorit, në përputhje me orientimet e tregut”.
Sheku, u shpreh se edicioni i pestë i “Ditëve të Bujqësisë” ka ardhur çdo vit duke u përmirësuar jo vetëm në numrin e ekspozuesve, por edhe në cilësinë e lartë të diskutimeve mbi çështjet që prekin sot sektorin e bujqësisë.
“Me mbi 100 ekspozues, panairi plotëson të gjithë zinxhirin e vlerës. Risia e këtij viti është përmirësimi i kapaciteteve në të gjitha hallkat që shoqërojnë këtë sektor. Këtu prezantohen prodhues, tregtarë të inputeve bujqësore, makineri dhe teknologji”, u shpreh Shehu.
Ajo theksoi gjithashtu se panairi ka shërbyer si një platformë për prezantimin e sipërmarrjeve të reja dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese, përfshirë degustime produktesh, si ai për vajin e ullirit i organizuar nga Bashkia Vlorë.
Sipas saj, eventi është shoqëruar edhe me elementë festivë, përmes performancave artistike me këngë dhe valle popullore nga treva të ndryshme të vendit.
“Në fakt është një festë për të celebruar punën dhe besimin që fermerët mbjellin çdo ditë, pavarësisht sfidave që i shoqërojnë”, u shpreh Shehu.
Nga emigrimi në investim, historia e suksesit të Ervin Hysës në përpunimin e ullirit në Dumre
Një histori suksesi që lidh emigrimin me zhvillimin lokal vjen nga zona e Dumresë, ku i riu Ervin Hysa ka ngritur një fabrikë moderne për përpunimin e ullirit, duke kontribuar në ekonominë familjare dhe atë të komunitetit lokal.
I kthyer nga emigrimi në Angli, ekipi i ATSH-së e takoi Ervinin në ambientet e panairit ku ekspozonte vajin e ullirit të prodhuar nga ullinjtë dhe fabrika e tij.
35-vjeçari na tregoi se vjen në Shqipëri, çdo vit gjatë sezonit të vjeljes dhe përpunimit të ullirit, që përkon me periudhën shtator- janar. “Familja ime ka investuar në Dumre në ndërtimin e një fabrike me teknologji bashkëkohore në përpunimin e ullirit. Sot ne përpunojmë dhjetëra ton ullinj nga më shumë se 100 familje të zonës dhe prodhojmë vaj ulliri me cilësi shumë të mirë, që është i kërkuar nga tregu”, shprehet Ervini.
Ai thekson se fabrika është kthyer në një pikë referimi për fermerët e zonës, pasi qindra familje nga Dumreja sjellin prodhimet e tyre për përpunim.
“Në fabrikën tonë përpunojnë ullinjtë edhe shumë familje të zonës. Janë disa qindra familje që i sjellin prodhimet e tyre këtu. Kemi ngritur një biznes familjar që po kontribuon jo vetëm në të ardhurat tona, por edhe në ekonominë e gjithë zonës”, tregon ai.
E ndërtuar në vitin 2024, fabrika është e pajisur me teknologji moderne italiane “Pieralisi”, duke garantuar standarde të larta përpunimi dhe kapacitete të konsiderueshme prodhimi.
Sipas Ervinit, investimi ka sjellë të ardhura të qëndrueshme për familjen, ndërsa synimi i radhës është zgjerimi i aktivitetit dhe hyrja në tregjet ndërkombëtare përmes certifikimit të produktit.
“Ky biznes na ka siguruar të ardhura të kënaqshme dhe synimi ynë është certifikimi i vajit të ullirit, për të rritur eksportet dhe për të çuar më tej emrin e vajit të Dumresë në tregjet e huaja”, tha ai për ATSH-në.
Panairi “Ditët e Bujqësisë 2026” u konsiderua një moment kyç për forcimin e partneriteteve, promovimin e inovacionit dhe orientimin e zhvillimit të ardhshëm të sektorit bujqësor në Shqipëri.
1 nga 33e.xh/j.p/