E Martë, 3 Nëntor 2026

Mbi 120 mijë persona në Izrael nënshkruajnë peticionin: Përfundoni luftën tani

Sipas faqes së internetit ‘Restar Israel’, më shumë se 120 mijë njerëz në Izrael kanë nënshkruar 43 peticione duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Platforma ‘Restart Israel’ u mundëson izraelitëve të shqyrtojnë dhe nënshkruajnë peticionet në mënyrë elektronike. Deri më sot, gjithsej 120.522 njerëz kanë nënshkruar thirrje për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.

16 nga 43 peticionet u nënshkruan nga mbi 10 mijë anëtarë të ushtrisë, përfshirë veteranë, rezervistë dhe ushtarë nga brigada të shumta, njësi elitare dhe degë të inteligjencës.

27 peticione e mbetura u nënshkruan nga profesionistë civilë, përfshirë akademikë, shkrimtarë, poetë, artistë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë.

Figura të dukshme midis nënshkruesve përfshijnë ish-kryeministrin Ehud Barak, ish-shefin e shtabit Dan Halutz, katër ish-komandantë të marinës (Ami Ayalon, Yedidia Yaari, Alex Tal dhe Dudu Ben-Besht), si dhe tre ish-udhëheqës të komandos detare ‘Flotilla 13’ (Ran Galinka, Uzi Livant dhe Tzvika Erez.

Dy ish-komandantë të artilerisë, Avraham Bar David dhe Doron Kadmiel, po ashtu u nënshkruan, së bashku me figura të tjera të larta ushtarake si Amram Mitzna, Avi Mizrahi, Amos Malka, Amnon Reshef, Moshe Sukenik, Nimrod Sheffer dhe Ilan Biran.

Peticionet kërkojnë lirimin e 59 pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë, si dhe për një armëpushim në enklavë.

Të premten e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi nënshkruesit ushtarakë për mosbindje dhe kërcënoi se do t’i shkarkojë ata.

Ai pretendoi se grupet e financuara nga jashtë po mbështesin përpjekjet për të rrëzuar koalicionin e tij, që mori detyrën në fund të vitit 2022.

Netanyahu i përshkroi kërkuesit si një “grup i vogël pensionistësh, i zhurmshëm, anarkist dhe i shkëputur”, duke theksuar se kushdo që nxit mosbindje do të dëbohet.

Lëvizja me peticionet pasoi rënien e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila filloi më 19 janar me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit dhe me mbështetjen e SHBA-së.

Derisa Hamasi respektoi kushtet e marrëveshjes, Netanyahu nën presionin e koalicionit të tij të ekstremit të djathtë, refuzoi të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes, duke rifilluar operacionet ushtarake izraelite në Gaza më 18 mars.

Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi izraelit në Gaza ka marrë jetën e të paktën 51 mijë palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për veprimet në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›