E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 379 mijë orë të kursyera në maj nga pesë shërbimet tatimore më të përdorura në e-Albania

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Digjitalizimi i shërbimeve tatimore po sjell përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar kohën e nevojshme për marrjen e dokumenteve dhe shmangur procedurat fizike në sportele.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm gjatë muajit maj, pesë nga shërbimet tatimore më të përdorura në platformën “e-Albania” kanë kursyer gjithsej 379 139 orë për përdoruesit.

Shërbimi më i kërkuar ishte ai i vërtetimit të pagesës, i cili u përdor 178 554 herë. Ndërkohë, vërtetimi për pagesën e kontributeve nga subjekti ose për individin u gjenerua 146 455 herë.

Po ashtu, gjatë muajit maj u lëshuan 25 170 vërtetime për pagesën e detyrimeve, 22 251 vërtetime mbi xhiron për tre vitet e fundit dhe 6709 vërtetime statusi (aktiv, pasiv, përfshirë datën).

Administrata tatimore vlerëson se përdorimi i këtyre shërbimeve online ka shmangur qindra mijëra vizita fizike në sportele, duke ulur kostot administrative dhe duke rritur efikasitetin e shërbimeve publike.

Digjitalizimi i proceseve tatimore mbetet një nga prioritetet kryesore të modernizimit të administratës publike, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›