E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 96 operacione policore gjatë marsit, në pranga 527 shtetas

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Strukturat e Policisë së Shtetit kanë finalizuar gjatë muajit mars 96 operacione dhe kanë vënë në pranga 527 shtetas të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Policia njoftoi sot se në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar 32 armë zjarri, tritol dhe municion luftarak dhe janë goditur 3 grupe kriminale për trafikim të armëve të zjarrit.

Në fushën e narkotikëve, Policia ka sekuestruar mbi 50 kg Cannabis Sativa, qindra doza kokaine dhe heroine.

Në kuadër të operacioneve kundër trafikut të narkotikëve, janë zbuluar 8 ambiente (6, të mbyllura dhe 2 sera) në Shkodër, Peqin dhe Shijak, ku kultivoheshin bimë narkotike.

Për këto raste u asgjësuan një numër i konsiderueshëm fidanë dhe bimë narkotike, dhe pajisjet që ndihmonin në kultivimin e tyre në ambientet e mbyllura.

Po ashtu gjatë muajit mars janë sekuestruar rreth 1.2 milionë euro asete dhe para me burime të dyshimta kriminale, 7 automjete të trafikuara në Shqipëri, si dhe mjete lundruese, dylbi, maska dhe radio si të Policisë.

Gjatë muajit mars janë zbardhur 18 ngjarje kriminale, si dhe u finalizuan 13 operacione për zbardhjen e vjedhjeve me armë.

Ndërsa nga strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare janë goditur 10 raste, të cilat përfshijnë kontrabandim mallrash (ilaçe, naftë, veshje dhe pajisje), falsifikim dokumentesh, punësim të paligjshëm, informalitet dhe mashtrim duke përvetësuar padrejtësisht titull shtetëror.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë vijuar monitorimin në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë muajit mars u vunë në pranga 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 135 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 62 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu u pezulluan 216 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë.

Policia Rrugore vendosi gjatë muajit mars 93 011 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, nga të cilat 3 934 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit.

Në këto raste, drejtuesit e automjeteve paguan dyfishin e masës administrative maksimale dhe u penalizuan me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Ndërsa shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të hyrje/daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë, gjatë këtij muaji kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi.

Në pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe analizave të riskut, shërbimet e Policisë evidentuan dhe goditën gjatë muajit mars 18 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false, 8 raste të trafiqeve dhe 2 raste të vjedhjeve.

Po ashtu u evidentuan 45 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›