E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e Komitetit të Emergjencave në Durrës, Vengu: Vëmendja tek Drini dhe Vjosa. Strukturat në terren pa ndërprerje

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Durrës, theksoi se përqendrimi kryesor në rang vendi lidhet me menaxhimin e kaskadës së Drinit dhe prurjet e lumenjve. Ministri tha se në zonën e Nënshkodrës, në Obot, ka prezencë uji në sipërfaqe bujqësore, por jo në zona të banuara. Ndërkohë, në basenin e Vjosës kuotat po arrijnë kapacitetin maksimal.

“Presim një situatë dinamike, përqendrimi në rang vendi ka të bëjë me menaxhimin e kaskadës së Drinit, nuk jemi jashtë rrezikut në nën Shkodër, në zonën e Obotit ka prezencë uji në zona bujqësore, jo në zona të banuara. Kemi një situatë edhe në basenin e Vjosës, kuotat po arrijnë kapacitetin maksimal. Edhe aty kemi prezencë pranë argjinaturave që të kufizojmë maksimalisht pasojat eventuale. Ne jemi veçanërisht të përqendruar këtu sa i përket zonës së Erzenit”, u shpreh ai.

Vengu siguroi se plani i aksionit për lirimin e Durrësit nga uji vijon pa ndërprerje, deri në normalizimin e plotë të situatës. Ai bëri të ditur se janë krijuar grupe të posaçme me ekspertë të ujësjellësve dhe forca civile e ushtarake në pesë zona ku ende ka prezencë uji në banesa. Sipas tij, bilanci nuk ka agravim, përkundrazi është vërejtur një tërheqje e ujërave në disa zona si ish-Kënetë dhe Shkozet.

“Kemi krijuar një grup me ekspertë të ujësjellësve, edhe një grup forcash civile dhe ushtarake në 5 zonat ku kemi ende prezencë uji në banesa. Prioriteti janë njerëzit, janë zonat e banuara. Elementi i dytë ka të bëjë me zhbllokimin e kanaleve të ujërave të larta edhe aty kemi sisteme pompimi dhe do vijojmë pandërprerë. Prioritet është rikthimi i banorëve në banesat e tyre. bilanci nuk ka agravim, ka një tërheqje të ujërave në disa zona si ish-Kënetë dhe Shkozet. Nuk ka probleme me hidrovorin, janë në kapacitet të plotë. Kemi siguruar  që të shkojmë shtëpi më shtëpi dhe të mos mbete asnjë cep pa mbuluar dhe do jemi në terren për të siguruar që e gjithë skuadra shkon aty ku është nevoja”, theksoi Ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›