Mblidhen liderët e Evropës, kryeministri britanik pret udhëheqësit në takimin që diskuton sfidat më të mëdha

Një javë pas samitit të NATO-s në Uashington, sot zhvillohet një tjetër takim i rëndësishëm i liderëve.
Kryeministra dhe presidentë nga të gjitha vendet evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë janë mbledhur në Britaninë e Madhe për Samitin e Bashkësisë Politike Europiane.
Pritja bëhet nga kryeministri i sapo zgjedhur i Britanisë së Madhe Keir Starmer, në Pallatin Blenheim në Oksfordshire, që është vendlindja e kryeministrit legjendar britanik, Uinston Churchill, jo shumë larg Londrës.
Sipas axhendës, pas përfundimit të punimeve të samitit, pasdite, liderët do të priten nga mbreti, Charles III.
Megjithëse, përgatitjet e samitit u bënë gjatë qeverisë së shkuar të Rishi Sunak, fokusi do të jetë te lideri aktual Keir Starmer i cili ka premtuar ta riorientojë vendin drejt Bashkimit Europian, 8 vite pasi vendi u shkëput nga blloku.
Tema kryesore të diskutimeve, do të jenë roli i Britanisë në arenën ndërkombëtare, mbështetja ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë, çështja e emigrantëve dhe çështje të tjera./vizionplus.tv