Mblidhet Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve

Bordi i Transparencës, në mbledhjen e zhvilluar më 13 maj 2026, ka vendosur çmimet tavan të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës, të cilat hyjnë në fuqi sot në orën 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në vendimin e radhës.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 201 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar jo më shumë se 189 lekë/litër.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është caktuar jo më shumë se 187 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.
Bordi ka theksuar se operatorët e tregut të shumicës dhe pakicës kanë detyrimin ligjor të zbatojnë vendimin, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Në njoftim theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Gjithashtu, sqarohet se referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, për shtesën në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, është përcaktuar se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin tejkalon 220 lekë/litër, ose për benzinën 200 lekë/litër, aplikohet niveli 80% i akcizës.
Megjithatë, bazuar në metodologjinë aktuale të llogaritjes së çmimeve tavan, çmimet e miratuara aktualisht mbeten nën kufirin e përcaktuar në aktin normativ, ndaj për rrjedhojë do të vazhdojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, 100%.