E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Kryesia e PS, shqyrtohet “rivotimi në Kuvend”

TIRANE - Deputetët socialistë diskutuan dje, një sërë variantesh për sjelljen e tyre ndaj mazhorancës në Kuvend, pas asaj që ndodhi me votimin për Elvis Çefën. Kryesia e grupit parlamentar te PS u mblodh sot rreth orës 11:00  dhe pritet të marrë një vendim për hapat politikë që do hidhen, por në konsultimet që janë bërë dje. Mësohet se PS mund të kërkojë përsëritjen e votimit në Kuvend, ose mund të shkojë edhe drejt ankimimit në Gjykatën Kushtetuese. 

Këto hapa, në fakt do të diskutohen dhe ende nuk janë vendosur, ndërkohë që paralelisht pritet të sugjerohet që në rregulloren e Kuvendit të fiksohet qartë votimi i fshehtë me kuti e me fletë pa firma e vula, në raste të tjera. Burimet nga grupi thanë se një grup deputetësh si Namik Dokle, Erion Braçe e Gjovalin Kadeli ishin radikalë, për t'u larguar nga Kuvendi e për të shpallur bojkotin, pas kësaj ngjarjeje.

Por, kreu i PS-së, Rama mësohet të ketë thënë se "nuk mund të bëhet kjo, pasi gjithë kjo luftë politike do të zhvlerësohej pastaj. Ne kemi fituar politikisht", mësohet të jetë shprehur Rama. Ndërkohë, në deklaratën e tij dje pasdite, kreu socialist akuzoi kryeministrin Berisha se mori rolin e Ristanit, duke vjedhur edhe votat e ministrave e deputetëve të tij. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›