Mbrojtja e monumenteve të kulturës në Gjirokastër, apel vizitorëve të mbrojnë vlerat historike

Rritja e fluksit të turistëve në qarkun e Gjirokastrës gjatë sezonit veror ka shtuar edhe vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Krahas ndërhyrjeve dhe monitorimit të objekteve të kultit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore po ndjek nga afër gjendjen e monumenteve për të garantuar ruajtjen e tyre dhe sigurinë e vizitorëve.
“Kemi një shtim të numrit të vizitorëve dhe nuk kemi ndonjë problematikën aspektin e rrezikut sepse këto objekte janë në gjendje të mirë”, u shpreh Ardis Duka, Drejtor DRTK.
Ruajtja e monumenteve nuk lidhet vetëm me investimet dhe monitorimin, por edhe me ndërgjegjësimin e komunitetit dhe turistëve që i vizitojnë ato. Për këtë arsye, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare u bën apel të gjithë vizitorëve të respektojnë rregullat dhe etikën e vizitës në objektet e kultit dhe monumentet e kulturës.
“I bëjmë thirrje që edhe kur shkojnë për të vizituar të respektojnë etikën e hyrjes sepse janë objekte të një cilësie të veçantë”, tha ai.
Me 540 monumente kulture në qark dhe me një interes gjithnjë në rritje nga turistët, sfida mbetet ruajtja e kësaj trashëgimie të çmuar.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/