E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja italiane aktivizon Marinën Ushtarake në Bab el-Mandeb, ministri i Mbrojtjes, Crosetto, garanton sigurinë e anijeve dhe infrastrukturës detare

Përballë përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare në rrugët kryesore të transportit detar, Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka njoftuar marrjen e masave të menjëhershme ushtarake për të garantuar sigurinë e mjeteve lundruese italiane në Ngushticën e Bab el-Mandeb. Përmes një deklarate zyrtare në rrjetin social X, Crosetto bëri të ditur se vendimi është marrë në bashkëpunim të ngushtë me Shefin e Shtabit të Mbrojtjes.

Aktivizimi i Marinës Italiane vjen në një moment të ngarkuar me sfida gjeopolitike.

“Përballë situatës sfiduese që po shpaloset përsëri në Ngushticën e Bab el-Mandeb, e përkeqësuar nga kriza e Hormuzit dhe pasojat ekonomike të tensioneve të shumta ndërkombëtare, kam vendosur, së bashku me Shefin e Shtabit të Mbrojtjes, të aktivizoj Marinën Italiane për të përgatitur gjithçka që është e nevojshme për të siguruar tranzitin e sigurt të anijeve italiane”, tha ministri.

Mbrojtja e ekonomisë dhe linjave digjitale nënujore

Në fjalën e tij, kreu i departamentit të Mbrojtjes nënvizoi se garantimi i rrugëve detare lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe stabilitetin e tregjeve.

“Ne kemi aftësitë për të mbrojtur kalimin e tyre dhe për të marrë informacionin e nevojshëm dhe të dobishëm përmes punës së sektorit dhe bashkëpunimit me ne”, shtoi Crosetto, duke paralajmëruar për rrezikun e rritjes së çmimeve të mallrave në rast bllokimi të linjave detare.

Sipas ministrit, rreziqet në hapësirat detare shtrihen edhe nën sipërfaqen e ujit, te kabllot e të dhënave dhe infrastrukturat energjetike.

“Mbrojtja e lirisë së lundrimit do të thotë, pra, mbrojtja e furnizimeve tona, vendeve të punës së kompanive, fuqisë blerëse të familjeve dhe aftësisë së Italisë për të gjeneruar pasuri. Kjo gjithashtu do të thotë mbrojtja e asaj që fshihet nën sipërfaqen e detit: kabllot përmes të cilave udhëtojnë të dhënat, lidhjet e energjisë dhe të gjitha ato infrastruktura thelbësore, vlerën e të cilave shpesh e kuptojmë vetëm kur ato dëmtohen.”, theksoi Guido Crosetto.

Dimensioni i ri i Mbrojtjes: Siguria kombëtare përtej fushëbetejave tradicionale

Crosetto nënvizoi se koncepti i sigurisë kombëtare ka pësuar ndryshime thelbësore, ku fusha e mbrojtjes përfshin tashmë garantimin e kohezionit social dhe stabilitetit dixhital e energjetik.

“Sot, roli i Mbrojtjes shtrihet shumë përtej fushëveprimit të saj tradicional. Nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen fizike të territorit nga kërcënimet e mundshme, por edhe me sigurinë ekonomike, energjetike, digjitale dhe të komunikimit”, përfundoi Ministri i Mbrojtjes, duke tërhequr vëmendjen se goditja e një kombi mund të realizohet edhe përmes kompromentimit të ekonomisë dhe besimit të qytetarëve te institucionet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›