Mbyllet java e 17-të e Superiores, Egnatia merr kryesimin e kampionatit

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Është mbyllur me dy ndeshjet e sotme Java e 17-të e kampionatit “Abissnet Superiore”.
Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, u mbyll në barazim 1-1. Të dy golat u shënuan me penallti. Rafa shënoi për Tiranën në minutën e 5-të dhe Balaj barazoi në minutën e 26-të për shkodranët. Balaj pati një mundësi të artë për të marrë fitoren, por gaboi në penalltinë e dytë të akorduar në minutën e 44-t, pasi portieri vendas Tafas ia priti topin.
Kështu Tirana e vendit të fundit, pavarësisht mungesave të shumta, ia doli të marrë 1 pikë me Ardijan Nuhijun në krye, barazim i cili e lë në fundin e renditjes me 9 pikë.
Ndërsa Vllaznia e vendit të katërt numëron 27 pikë. Kuqeblutë e Edi Martinit tashmë janë me 7 pikë më pak se Egnatia kryesuese.
Në Ballsh, në stadiumin “Adush Muça” Bylisi mposhti AF Elbasanin me rezultatin 3-2.
Kështu Bylisi rikthehet te fitorja, ku për herë të fundit fitonte në javën e 10-të ndaj Tiranës dhe i largohet zonës së rrezikut. Ndërsa për Elbasanin nuk ka vazhdimësi, kur pas dy fitoresh në dy ndeshje, tani mposhtet në transfertën e Ballshit. Golat për Bylisin u shënuan respektivisht në minutat 44′ (P), 48′, 55′ nga Mustafa, ndërsa për AF Elbasanin shënuan Loukili me një supergol në 52′dhe Tsague në 69′.
Ditën e shtunë Egnatia triumfoi ndaj Partizanit në “Arena Egnatia” me rezultatin 2-1. Falë këtij suksesi të rëndësishëm, rrogozhinasit morën kryesimin e kampionatit me 34 pikë.
Dinamo City mundi Vorën në “Air Albania” me përmbysje 2-1, ndërsa ndeshja Flamurtari – Teuta u mbyll në barazim 2-2.
Renditja pas Javës së 17-të:
