McAllister dhe 8 eurodeputetë javën e ardhshme në Tiranë, mbështetje për integrimin në BE

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/- Një delegacion prej nëntë anëtarësh të Parlamentit Evropian do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë dhe Podgoricë në kuadër të procesit të integrimit të dy vendeve në BE.
Në njoftimin zyrtar publikuar në faqen e Parlamentit Evropian bëhet me dije se Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) do të vizitojë Podgoricën dhe Tiranën nga 16 deri më 18 shkurt, i kryesuar nga Kryetari i Komitetit, David McAllister (PPE, Gjermani).
Vizita do t’u mundësojë eurodeputetëve të vlerësojnë gjendjen aktuale të negociatave të pranimit dhe prioritetet e reformave të pazgjidhura në secilin vend dhe të riafirmojnë angazhimin e Parlamentit për t’i mbështetur ata në rrugën e tyre evropiane.
Gjatë vizitës, anëtarët e AFET do të bëjnë një vlerësim të negociatave në vazhdim dhe do të angazhohen me qeveritë dhe parlamentet në Mal të Zi dhe Shqipëri se si mund t’i përmbushin më së miri objektivat e tyre ambicioze dhe të adresojnë reformat e pazgjidhura, veçanërisht në grupin “themele”.
Eurodeputetët do të takohen gjithashtu me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Vizita do të kontribuojë gjithashtu në punën e Komitetit mbi raportet e ardhshme të vendit për Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Mali i Zi dhe Shqipëria janë pararojë në procesin e anëtarësimit. Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 13 kapituj negociues ndërsa Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe është në pritje për mbylljen e tyre.