E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më shumë ekspozita në “Marubi”, Luçjan Bedeni prezanton kalendarin e aktiviteteve në vijim

Muzeu “Marubi” vijon të mirëpresë vizitorët me ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, e cila është pjesë e programit të aktiviteteve për 10-vjetorin e hapjes së institucionit. Për këtë vit jubilar, Muzeu “Marubi” ka planifikuar më shumë ekspozita se zakonisht. Drejtori Luçjan Bedeni thotë se edhe në muajt e mbetur të vitit publiku do të ketë mundësi të vizitojë ekspozita të reja.

 “Përgatitemi tani në shtator të kemi dy hapje të tjera ekspozitash. Një në katin e sipërm dhe një në katin përdhesë, një ekspozitë e një artiste të re franceze me mjaft perspektivë, e ekspozuar në shumë institucione prestigjoze dhe pastaj një tjetër koleksion i papublikuar më përpara i një studios fotografike nga Korça, do jetë për herën e parë ekspozimi i kësaj dhe pastaj do ta mbyllim kalendarin vjetor me një super emër të botës së artit bashkëkohor”, deklaroi Luçjan Bedeni, drejtor, Muzeu i Fotografisë “Marubi”.

Sipas Bedenit, vizitorët nuk bëjnë dallim mes ekspozitave të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Ai thekson se interesi lidhet me vlerat që sjell secila ekspozitë.

“Unë mendoj që nuk ka se ka një ndikim. E rëndësishme është kur ato projekte janë cilësisht të realizuara”, shtoi ai.

Muzeu “Marubi” mbetet një nga institucionet kulturore më të vizituara në Shkodër, duke tërhequr gjatë gjithë vitit vizitorë vendas dhe të huaj.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›